Lugina e Valbonës, kjo perlë e turizmit malor në Shqipëri, gjatë sezonit turistik të vitit 2013 priti më shumë se 25 mijë turistë, ndërkohë që në sezonin e vitit të shkuar u vizitua nga rreth 35 mijë vizitorë. Gjatë këtij sezoni, ky numër pritet të jetë më i lartë, cka do të thotë se vit pas viti kjo pikë turistike rrit numrin e vizitorëve. Ndërtimi i rrugës që e lidh këtë zonë, me Bajram Currin, I ka dhënë një impuls të madh zhvillimit të turizmit ndërkohë që banorët e Luginës së Valbonës, kanë rritur kapacitetet e tyre, për akomodimin e sa më shumë turistëve. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në rrethin e Tropojës, 25 deri 30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Ky park shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh dhe konsiderohet mrekullia e Alpeve shqiptare.