Zona e Sarandës karakterizohet nga një numër i madh habitatesh natyrore, gjysmënatyrore dhe artificiale. Ka një bimësi të larmishme tipike mesdhetare. Zona njihet për prodhimin e agrumeve dhe ullirit, ndërkohë që pemët frutore zënë rreth 30 për qind të sipërfaqes. Pasurisë bimore të Sarandës i shtohet edhe bimësia ujore e detit Jon. Në thellësitë e Jonit nuk mungojnë edhe koralet. Zona u afron vizitorëve vendas dhe të huaj pamje spektakolare të ujërave blu.

Zona e Sarandës ka një botë shtazore të pasur, si derri i egër, lepuri, çakalli, dhelpra, ujku, sorkadhja, thëllëza, rosa etj. Disa rezervate, si ai i pyllit të Butrintit, Stillos, Corrajt, Muzinës, janë një vend gjuetie mjaft i përshtatshëm për amatorët e këtij sporti. Edhe pasuria ujore dhe shtazore e detit Jon është e shumëllojshme. Delfinët janë miq të qytetit, duke u afruar brigjeve të Sarandës. Një breshkë e llojit Careta-Careta është parë së fundmi në Butrint.

Ujërat detare janë jashtëzakonisht të kthjellëta dhe me ngjyrë blu. E gjithë zona ofron habitate të çmuara me peshq dhe lloje të tjera kafshësh detare. Bregu i detit Jon është në shumë zona ende i virgjër dhe jashtëzakonisht i bukur. Në këtë zonë përfshihet laguna tipike mesdhetare e Butrintit, rreth 1600 ha. Laguna është e pasur me bimësi që shërben si ushqim për llojet e shumtë të peshqve. Laguna është gjithashtu vend ndalese për mijëra zogj ujorë dimërorë dhe shtegtarë.